Secondary Adv

Shqipëria ndan më pak të ardhura për më të varfrit se i gjithë rajoni

Në Shqipëri, 20 për qind e popullsisë më të varfër përfiton vetëm 3.6 për qind të të ardhurave totale, niveli më i ulët në rajon.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave që përfiton shtresa më e varfër e popullsisë, krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave krahasuese rajonale të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), në vitin 2025, 20 për qind e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfitonte vetëm 3.6 për qind të totalit të të ardhurave pas taksave.


Kjo është pesha më e ulët në rajon dhe tregon një shpërndarje më të pabarabartë të të ardhurave në dëm të shtresës më të varfër.

Treguesi mat se çfarë pjese të të ardhurave totale të popullsisë merr një e pesta e individëve me të ardhurat më të ulëta, pasi janë zbritur taksat dhe janë përfshirë transfertat sociale. Sa më e ulët të jetë kjo përqindje, aq më e vogël është pjesa e të ardhurave që përfiton grupi më i varfër në raport me pjesën tjetër të shoqërisë.


Në Shqipëri, për çdo 100 lekë të ardhura të disponueshme që siguron e gjithë popullsia, vetëm 3.6 lekë u takojnë 20 për qind të individëve me të ardhurat më të ulëta, ndërsa 96.4 lekët e tjera shpërndahen te pjesa tjetër e popullsisë.


Kosova kryeson rajonin, Shqipëria me nivelin më të ulët

Diferenca më e madhe vërehet në krahasimin me Kosovën, ku një e pesta e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfiton 6.6 për qind të totalit të të ardhurave pas taksave. Pesha e të ardhurave të kësaj shtrese në Kosovë është gati 1.8 herë më e lartë se në Shqipëri.


Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë një shpërndarje më të favorshme të të ardhurave për grupin më të varfër. Në Malin e Zi, 20 për qind e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfiton 4.4 për qind të të ardhurave totale, në Bosnjë-Hercegovinë 4.3 për qind, në Serbi 4.1 për qind dhe në Maqedoninë e Veriut 4 për qind.


Megjithëse diferencat me disa prej vendeve janë më të vogla se me Kosovën, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për pjesën e të ardhurave që shkon te shtresa më e varfër.


Të ardhurat e ulëta rrisin ndjeshmërinë ndaj kostos së jetesës

Pesha e ulët e të ardhurave që përfiton 20 për qind e popullsisë më të varfër është një tregues i rëndësishëm i pabarazisë ekonomike dhe i pozitës së dobët financiare të kësaj shtrese në raport me pjesën tjetër të shoqërisë.


Megjithatë, ky tregues nuk mat drejtpërdrejt nivelin absolut të varfërisë. Një vend mund të ketë një pjesë më të ulët të të ardhurave për shtresën më të varfër, por një nivel më të lartë të ardhurash mesatare. Për të vlerësuar varfërinë reale, duhen marrë në konsideratë edhe të ardhurat konkrete të familjeve, kostoja e jetesës dhe përqindja e popullsisë që jeton nën pragun e varfërisë.


Për Shqipërinë, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se grupi me të ardhurat më të ulëta merr një pjesë më të vogël të të ardhurave totale se në çdo vend tjetër të rajonit. Kjo e bën këtë shtresë veçanërisht të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve dhe shpenzimeve të domosdoshme, pasi familjet me të ardhura të pakta kanë më pak hapësirë financiare për të përballuar kostot e ushqimeve, banesës dhe shërbimeve bazë.


Treguesi ngre gjithashtu çështjen e efektivitetit të politikave të rishpërndarjes së të ardhurave, përfshirë sistemin e taksave dhe transfertat sociale, pasi diferencat mbeten të larta edhe pas përfshirjes së tyre në të ardhurat e disponueshme të popullsisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat